Vetëm disa ditë para lindjes, një grua nga qyteti Kajseri i Turqisë, akoma është nën arrest edhe pse foshnja e saj në bark ka probleme me zemrën dhe me veshkët.

Kolumnistja e së përditshmes Hurrijet, Ajshe Arman, ka intervistuar avokatin e Shule Gumusholluk, Mehmet Fatih Ozturk, për gruan shtatëzëne në muajin e 8 e gjysmë që është duke u mbajtur në paraburgim paragjyqësor në Burgun e Mbyllur të qytetit Kajseri të Turqisë.

“Sipas raportit mjekësor, foshnja akoma e palindur ka probleme në zemër dhe në veshkë. Në zemër shihet një vrimë, kurse veshkët janë duke u rritur shumë më shumë se sa normalja. Një mjek, gjithashtu i ka thënë Shule se foshnja është dashtë të mjekohet para se të bëhet vonë. Nëse ajo nuk do të ishte e arrestuar, foshnja do të ishte mjekuar para se të kishte lindur”, ka thënë Ozturk për Arman.

Avokati gjithashtu ka nënvizuar se vendimi për ta mbajtur Shule nën arrest shkel jo vetëm traktatet universale mbi të drejtat e fëmijëve, por edhe vet rregulloren e Turqisë.

Avokati gjithashtu ka shtuar se shumë gjëra që nuk do tu kishe besuar janë duke u ushtruar me urdhrin e emergjencës të pas-grushtit të shtetit.

Që nga përpjekja e 15 korrikut të vitit 2016, Turqia ka arresuar më shumë se 120,000 persona dhe ka burgosur mbi 50,000 të tjerë si pjesë e spastrimeve të pas-puçit. Në mesin e të arrestuarve janë edhe gra shtatëzëne, njerëz të moshuar, persona hendikepë dhe shumë të tjerë nga grupet e prekshme.

Related News