Kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, të hënën ka shprehur shqetësime të thella rreth planeve të mundshme të Turqisë për të mbajtur një referendum publik për rivendosjen e dënimit me vdekje, duke shprehur se një hap i tillë mund të jetë vija e kuqe për BE-në.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, pasi shpalli fitoren në referendum me të cilën zgjeroi kompetencat e tij, të Diellën deklaroi se ka ardhur koha për Turqinë që të konsideroj rivendosjen e dënimit me vdekje.

Erdogan, fjalimin e fitores e mbajti të diellën në mbrëmje ku bëri të ditur se “urgjentisht” do të diskutoj me kryeministrin turk, Binali Yildirim dhe me kryetarin e opozitës nacionaliste për kthimin e dënimit me vdekje.

“Nëse (legjislacioni) vjen tek unë, unë do ta aprovoj të njëjtën”, tha Erdogan, “Por nëse parlamenti nuk e përkrah… atëherë çfarë do të bëjmë?”

“Atëherë mund të mbajmë një referendum të radhës”, shtoi ai.

Kryetari i PE-së, të hënën në një postim në rrjetin social Twitter shkroi, “Jam shumë i shqetësuar për një referendum të mundshëm mbi dënimin me vdekje në Turqi. Kjo do të ishte vija e kuqe për Unionin Evropian”.

Turqia që nga viti 2005 ka mbajtur negociata me BE-në si shtet kandidate për në BE dhe për këtë shkak në vitin 2004 anuloi dënimin me vdekje.

Diskutimet për rivendosjen e dënimit me vdekje filluan pas përpjekjes për grusht shtet më 15 korrik 2016.

Zyrtarët e BE-së bënë të ditur se kthimi i dënimit me vdekje për Turqinë do të nënkuptonte përfundim të negociatave për të qenë kandidate e BE-së.

Në një mesazh tjetër, Tajani theksoi se është duke pritur për një vlerësim të referendumit nga ana e zyrës së OBSE për Institucione Demokratike dhe për të Drejtat e Njeriut.

“Bëj thirrje deri tek Turqia si një shtet kandidate që të respektoj ligjin dhe të drejtat fundamentale”, shtoi ai.

 

Related News