Nëna ndahet nga bebja e saj 8 muajshe të cilën e ushqente me gji, pasi ishte transferuar nga burgu i Stambollit në burgun Gebze, raportoi të martën agjencia e lajmeve pro-kurde DIHA.

Sipas DIHA, Gulistan Akbaba është transferuar nga Burgu i Bakirkojit për Gra dhe të Mitur në Stamboll, ku kishte qëndruar për më shumë se dy vjet, në burgun në Gebze, një qytet në juglindje 60 km larg Stambollit, në gjirin e qytetit Izmit, krahu lindor i detit Marmara.

Gjatë transferit, Akbaba raportohet të ketë refuzuar që të futet në furgonin policor me beben e saj, duke pohuar se fëmija nuk mund të duroj një udhëtim të tillë brenda një makine. Pasi që ajo refuzonte të futej në furgon, policia fëmijën 8 muajshe ia la avokatit që e prezentonte të burgosuren Akbaba.

Përderisa bebja iu la avokatit jashtë burgut në Bakirkoj, nëna u dërgua për në Gebze.

Fatmirësisht, nëna dhe fëmija raportohet të jenë takuar përsëri pas disa orësh me ndihmën e avokatëve.

Akbaba u dënua me gjashtë vjet dhe tre muaj burg, për përhapjen e propagandës për mbështetje të një organizate terroriste, pasi në vitin 2012 ajo ishte anëtare e partisë politike kurde të Demokracisë dhe Paqes (BDP), tani më e mbyllur.

BDP ishte një parti politike kurde në Turqi që ka ekzistuar nga viti 2008 deri në vitin 2014. BDP ishte vazhdimi i partisë Sociale Demokratike (DTP), e cila u mbyll në vitin 2008 për shkak të lidhjeve të dyshuara me Partinë Punëtore Kurde (PKK).